//
po lexoni…
AlbLajme

Banka e Shqipërisë: Qeveria të rishikojë planin e shpenzimeve

TIRANË- Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të rishikojë shpenzimet e planifikuara për këtë vit. Raporti i fundit i BSH-së, nënvizon se bankat e nivelit të dytë kanë hezituar t’i japin borxh qeverisë, për shkak të shtrëngimit të kushteve të likuiditetit dhe se kostoja e tij është rritur. “Shtrëngimi i kushteve të financimit krijon vështirësi në financimin e deficitit buxhetor të planifikuar. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë gjykon si të domosdoshëm rishikimin e shpenzimeve të planifikuara duke bërë korrigjimet e duhura sipas prioriteteve”,- citohet në raport. Sipas këtij autoriteti, ecuria e interesit të borxhit të emetuar nga qeveria do të varet dukshëm nga kërkesa për financimin e deficitit buxhetor dhe përputhja e treguesve fiskalë me vlerat e projektuara dhe të faktorizuara nga agjentët ekonomikë. Aktualisht normat e interesit për bonot e thesarit me afat maturimit 12 muaj kanë kaluar nivelin e 9 për qind, i konsideruar si rekord historik.
Më pak kredi
Sipas raportit, ritmet e kreditimit janë ngadalësuar ndjeshëm, për shkak të uljes së likuiditetit në sistemin bankar. Norma vjetore e kreditimit, duke hequr efektin e kursit të këmbimit, arriti në 29% në muajin shkurt. Sipas Bankës së Shqipërisë ngadalësimi i aktivitetit kreditues i shërben qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm valutor të vendit, por zgjatja në kohë e frenimit të kreditimit mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. “Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë është duke furnizuar me likuiditetin e nevojshëm sistemin bankar dhe duke punuar me të për kontrollin e elementeve të kredisë që nuk kanë lidhje me koston, por që ndikojnë ecurinë e saj”,- thuhet në raportin e saj.
Një zhvillim pozitiv gjatë muajve të parë të këtij viti është zhvendosja e kreditimit nga monedhat e huaja, kryesisht euro, në lekë. Gjatë shkurtit kredia në lekë zuri 29% të portofolit të kredisë, duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008.
Këshilli Mbikëqyrës vendosi në mbledhjen e djeshme të mos ndryshojë normën bazë të interesit, e cila prej mëse tre muajve është 5.75%.

Diskutim

Ende pa komente.

Lini një koment