LAJME – NEWS

Kliko te lexosh lajmin i pari

Posts Tagged ‘SPECIALE’

Raporti për deputetët: Shkelje ligjore, mungesa masive, celularë dhe duhan

Posted by AlbLajme on 29 Prill 2009

TIRANE – Fatos Nano kryeson edhe këtë vit listën e deputetëve që “nuk ua ndjen” se ç’bëhet në Kuvendin për ku janë votuar si deputetë, ndërkohë që vetëm 9 deputetë kanë marrë pjesë në të gjitha seancat plenare të kësaj legjislature.
Dy ekstreme i përkasin PS-së, janë Fatos Nano me asnjë prezencë në Debatet Parlamentare dhe Erjon Braçe i renditur në krye të klasifikimit për pjesëmarrje në Debate.
Shifrat e mëposhtme janë shkëputur nga Raporti Monitorues “Unë Votoj” i cili nxjerr çdo vit, rezultatet e punës së Kuvendit dhe monitoron shkeljet e rregulloreve dhe prezencën e deputetëve.
Pjesa e mëposhtme ka të bëjë me prezencën e deputetëve ndërkohë që raporti i plotë do botohet nesër në Shekulli (versioni print).
Raporti thotw gjithashtu: “Sesioni i gjashtë dhe i shtatë i legjislaturës së XVII parlamentare janë karakterizuar nga një numër i madh shkeljesh të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Shkeljet e kryera gjate këtij viti parlamentar komprometojnë ligjshmërinë e 58 mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe vendimeve të marra në to, duke cenuar vete misionin ligjvënës te institucionit me te larte përfaqësues ne hierarkinë shtetërore. Kjo situate e dhunimit te vazhdueshëm te rregullave dhe procedurave demonstron një mungese te theksuar profesionalizmit dhe seriozitetit të të zgjedhurve të qytetareve për të përfaqësuar interesin e tyre”.

Nw kapitullin: – Qasja e nismave ligjore me platformat elektorale – Raporti thotw:
“Në krahasim me sesionin e shkuar Partia Demokratike ka bërë një progres ne përputhjen e nismave ligjore te votuara prej grupit te saj parlamentar me premtimet e platformës zgjedhore. Megjithatë niveli i qasjes mbetet i pamjaftueshëm, kujtojmë qe ne sesionin e pare parlamentar te vitit 2007 Partia Demokratike shënoi një nivel te larte qasje te ligjeve me premtimet, rreth 30%, nivel ky qe nuk u ruajt, përkundrazi u ul me kalimin e kohës ne 16% dhe se fundi 19%. Kjo mungese koherence mes premtimeve dhe zbatimit te politikave është një dhënë e drejtpërdrejtë qe tregon se premtimet elektorale te partive politike bëhen mbi bazën e nevojave emergjente te qytetareve për te fituar besimin e tyre duke qene te ndërgjegjshëm për pamundësinë e realizimit te këtyre premtimeve…”

PREZENCA NE SEANCAT PLENARE

Gjatë sesionit të gjashtë dhe shtatë të legjislaturës së XVII të Kuvendit të Shqipërisë, deputetët që kanë munguar më shumë gjatë seancave plenare paraqiten në tabelën e mëposhtme.

Fatos Nano
Ka marrë pjesë vetëm 6 herë – nga 161 seanca

Taulant Dedja
54-161
Ilir Meta
67-161
Vangjel Dule
72-161
Shpëtim Idrizi
74-161
Nikollë Lesi
82-161
Tom Doshi
82-161
Ndricim Babasi
93-161
Fatmir Mediu
94-161

Tabela e mëposhtme përmban deputetët më të rregullt gjatë seancave plenare të sesionit gjashtë dhe shtatë, Legjislatura e XVII e Kuvendit te Shqipërisë:

Emër Mbiemër
Prezenca/ Totali i Cështjeve

Engjëll Cara
161-161
Parid Teferici
161-161
Dashnor Sula
161-161
Safet Sulaj
161-161
Fatos Hoxha
161-161
Genc Sharku
161-161
Gjovalin Prenga
161-161
Galip Ramadhi
161-161
Rrahim Kaleci
161-161

Ndërsa lista e mëposhtme tregon 5 deputetët më pak prezentë gjatë seancave që janë monitoruar deri tani nga Skuadra UnëVotoj, gjatë gjithë legjislaturës XVII:

Emri Mbiemri Prezenca/ Totali Çështjeve

Fatos Nano 16/481
Ilir Meta 131/481
Taulant Dedja 145/481
Vangjel Dule 174/481
Blendi Klosi 176/481

Deputetët që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në DEBATET parlamentare gjatë sesionit të pestë të Legjislaturës XVII në Kuvend

1 Flori Bajramaj
2 Taulant Dedja
3 Hamit Kosta
4 Fatos Nano
5 Galip Ramadhi

Deputetët që kanë marrë pjesë më shumë në DEBATET parlamentare

1 Erion Braçe
2 Pëllumb Xhufi
3 Valentina Leskaj
4 Nikollaq Neranxi
5 Arben Malaj

Një tjetër veprim në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit është ai i bisedave me telefona celularë gjatë zhvillimit të seancave dhe komisioneve parlamentare. Sipas nenit 67 për paraqitjen në seancë plenare dhe në komisione, përcaktohet shprehimisht: “Deputetët, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve dhe seancës plenare, paraqiten me veshje zyrtare dhe nuk duhen të përdorin telefonat e lëvizshëm”. Gjatë monitorimit të skuadrës “Unë Votoj” është vënë re se ky rregull nuk zbatohet nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu është vënë re se deputetët konsumojnë produkte duhani në ambientet ku zhvillohen mbledhjet e komisioneve dhe seancat plenare.

Posted in I pakategorizuar | Shenjëzuar: | Leave a Comment »

Memorandum përmbi Shqypënië

Posted by AlbLajme on 28 Prill 2009

Prej: Wilhelmi, Mbret i Shqypëniës
Princ Wied (Përkthim nga gjuha gjermane)
Korrik 1917

Gjurmimet historike mbi periudhën e Pavarësisë dhe rrugës së shtetit shqiptar drejt konsolidimit politiko-institucional ende dhe sot përbëjnë një etapë të rëndësishme, për të cilën historiografia shqiptare nuk e ka thënë fjalën e fundit. Kjo sepse institucionet akademike të cilat për vite me radhë kishin eksluzivitetin shkencor tek ne, funksiononin mbi bazën e orientimeve ideologjike, duke mënjanuar faktologjinë si faktor primar në histori.

Çka ka sjellë si rezultat jo vetëm mungesën e besimit në historiografi, por dhe domosdoshmërinë e rishikimit të versionit zyrtar të saj, mbi bazën e dokumentacionit, literaturës dhe pse jo dhe të objektivitetit apo metodave bashkohore të kërkimit shkencor.

Nisur nga arsyet që përmendëm më sipër si dhe dëshirës për t`i paraqitur lexuesit fakte të reja, në lidhje me dy çështje ende shumë të diskutuara siç është Kryengritja Fshatare e Shqipërisë së Mesme 1914-1915 dhe largimi i Princ Widit nga Shqipëria, menduam të përgatitnim për botim këtë libër, i cili në fakt edhe nga titulli që mban është një Memorandum drejtuar fuqive të mëdha nga vetë Widi, në prag të përfundimit të luftës së parë botërore.

Aty, krahas kërkesës për t’u rikthyer dhe një herë në fronin mbretëror si i vetmi pretendent legjitim, Widi paraqet të dhëna të rëndësishme mbi situatën politike në të cilën vendi ynë ndodhej para dhe pas ardhjes së tij. Apo mbi personalitete të kohës, shqiptarë dhe të huaj, të cilët me ndikimin dhe rolin që ata luajtën në varësi dhe të interesave apo fuqive që ata përfaqësonin, u bënë shkaktarë kryesorë për anarkinë dhe shkatërrimin e shtetit anemik dhe të sapo krijuar shqiptar.

Këtë libër i përkthyer nga gjuha gjermane në korrik të vitit 1917-të pata rastin ta gjenja në Biblotekën e Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër e cila për nga numri dhe sasia e fondit albanologjik vjen e dyta pas Biblotekës Kombëtare. Pa prekur kuptimin e fjalëve dhe tekstin origjinal jemi munduar që redaktimi nga ana jonë të jetë sa më i thjeshtë.

Refleksione historike mbi shkaqet e largimit të Princ Widit

Në nëntor të vitit 1913-te Fuqitë e Mëdha pranuan përfundimisht që Princ i Shqipërisë të ishte gjermani Wilhelm Von Wied i propozuar nga Austro-Hungaria dhe Italia. Kjo ngjarje pati jehonë të madhe në Shqipëri, rrethet patriotike u bashkuan pa rezerva me vendimin e Fuqive të Mëdha, duke e parë princin gjerman si simbol uniteti. Të dëshpëruar nga anarkia që kishte mbuluar vendin dhe faktin se princi ishte një protestant, i pa ngatërruar në ndarjet fetare apo krahinarizmat e kohës, ata mendonin se vetëm kështu ai do të ishte në gjendje të ushtronte autoritetin e duhur në dobi të kombit.

Një delegacion shqiptar prej 14 vetësh i caktuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe i kryesuar nga Esat pashë Toptani shkoi ne Noi-Vid, në Gjermaninë Jugperëndimore dhe me 21 shkurt i dorëzoi zyrtarisht Princit kurorën e Shqipërisë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast Esat pasha me cilësinë e kryetarit të delegacionit iu drejtua Princit me fjalët:

“Delegacioni shqiptar, që kam nderën me i paraqitë Naltmadhnis Suaj a në gzim me t`dhanë n`emën t`gjith Shqipnis fronin. Kombi ynë a ngjallun mbas ndërrimeve ndër Ballkanike për vullnet t`Shteteve t`Evropës e ashtë i gzueshëm që Ti Princ Evropian, ke begenisë fronin.Shqiptarët kan me kenë gjithmonë besnikë nën urdhnin t`and gati gjithherë me t`ndimue në ç`farëdo mundit për me e çue Shqipnin në nji ditë t`madhnueshme. Rroft Madhnia Juej Regji i Shqipnisë.”

Pas disa ditësh Princi u nis për në Shqipëri dhe me 7 mars 1914-të zbriti në Durrës,një numër i madh patriotësh, klerikësh dhe popull i ardhur nga të gjitha anët brohoriste në shenjë mirëseardhje.

Duke marrë parasysh dhe sugjerimet e Fuqive të Mëdha, Princ Widi formoi më 17 mars qeverinë shqiptare, në krye të së cilës erdhi Turhan pashë Përmeti ish ambasador i Perandorisë Osmane në Petërburg.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit më 10 prill 1914-të duke u mbështetur në vendimet kryesore të ndërmara nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës (29 korrik 1913) përgatiti Statutin Organik mbi bazën e të cilit do të ngrihej dhe funksiononte më pas shteti i ri shqiptar. Sipas këtij ligji themelor Shqipëria shpallej principatë kushtetore sovrane dhe trashëgimore nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Megjithëse me këtë statut shteti i pavarur shqiptarë njihej de jure dhe de facto në arenën ndërkombëtare, përsëri rolin kryesor vazhdonte ta luante KNK-ja.Këtu vlen për t`u theksuar se një pengesë juridike për shtetin e sapo krijuar ishte dhe neni 4 i statutit, në bazë të së cilit vazhdonin ende të mbeteshin në fuqi kapitulacionet që Perandoria Osmane u kishte akorduar atyre në shekujt e kaluar.

Diçka e tillë ngjalli pakënaqësi në rrethet patriotike, duke iu drejtuar Fuqive të Mëdha gazeta shqiptare “Atdheu” shkruante “…ata nuk duan që Shqipëria të marrë veten dhe të jetë zonja e vetes. Duan ta kenë ngaherë fëmijë, duan t’i marrin pajisjet e saj dhe duan, kur t’iu vijë rasti, ta groposin”.

Ndërsa George Fred Williams i cili në vitin 1914-të ishte ministri i Amerikës në Greqi dhe Mal të Zi dhe njëkohësisht observator i komisionit ndërkombëtar në Durrës,në librin e tij “Shqiptarët” pozitën e Princ Widit dhe shtetit shqiptar e përshkruan kështu:

“Tri funksionet e një shteti jane ekzekutivi, legjislativi dhe administrimi i gjyqit. Shifet se dy të fundit nuk janë përmendë veçse si një lloj autoriteti i lanun komisionit ndërkombëtar për të formue një qeveri kombëtare defenitive. Funksioni ekzekutiv natyrisht përfshinë një kryetar ekzistues që do të ketë kontrollimin e administratave civile dhe të sigurimit publik.

Akordi përmban një princ, por ia dha komisionit ndërkombëtar kontrollimin e administratave civile dhe të financave, dhe në njenën anë e ven sigurimin publik nën komisionin ndërkombëtar, kurse në anën tjetër thotë:”komanda aktive dhe eprore për të mbajtunit e qetësis publike i jepet një organizate ndërkombëtare të kryesuar prej oficerësh të huaj”. Se çfar fuqinash i mbeteshin princit nuk kuptohesh, kurse administratat, financat dhe sigurimi publik u dhanë në duar të tjera. Si mbas vendimit të akordit, princi do të zgjidhesh pa pyet dëshirat e popullit, gjithashtu edhe funksionet e autoriteteve të vendit dhe sigurimi publik u hoqën nga duart e popullit.

Nuk qe vu përpara ndonjë statut, në bazë të cilit të qeverisej ky popull dhe asnjë premtim nuk i qe bërë për një liri të plotë ose për të ushtrue të drejtat tradicionale. Këtu qe vetëm një sundim tiran dhe një despotizëm i deklaruem me urgjencë, me sa gjykohet kjo qe një anarki për të shkaktuar revolucione. Po të mos ngrihesh populli Shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për Shqiptarët nuk do të besohesh mjaft dhe do të thuhesh se këta nuk kanë ide mbi lirinë që kërkojnë”.

Rivaliteti midis Fuqive të Mëdha nuk kish si të mos reflektohej dhe midis anëtarëve të KNK-së, ky rivalitet do të vinte gjithnjë duke u rritur me afrimin e luftës së parë botërore dhe konfigurimin e forcave ndërkombëtare.
Por në fakt dy ishin aksionet politike që çuan në përmbysjen e shtetit të porsangritur shqiptar:
Ndërhyrja ushtarake greke në Jug me anë të ashtuquajturës ”Kryengritja e Epirit” dhe Kryengritja Rrebele e Fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme.

Bisedimet e KNK-së me përfaqesuesit e “Vorio-Epirit“ dhe nënshkrimi më 17 maj 1914-të Protokollit të Korfuzit i dhanë një goditje vdekjeprurëse shtetit shqiptar. Dispozitat e këtij protokolli juridikisht lejonin krijimin e një zone autonome në territoret juglindore të Shqipërisë, të cilat sipas shtetit grek banoheshin nga minoritarët.

Diçka e tillë ngjalli një urrejtje të madhe në masat e popullit, Princ Widit dhe qeverisë së Durrësit i vinin protesta nga shumë anë të Shqipërisë të cilat kërkonin që kjo marrëveshje të mos njihej, kur papritmas ne Shqipërinë e Mesme shpërtheu një rebelim i armatosur.
Po cilat ishin në të vërtetë shkaqet e këtij rebelimi?

Në fakt kjo lidhet me një varg faktorësh politikë evropianë dhe ballkanikë, sepse shqipëria zinte një pozitë kyçe për të dy blloqet kundërshtare që përgatiteshin për luftën botërore. Sigurisht që Lëvizja e ”fanatikëve” të Shqipërisë së Mesme ishte e lidhur në radhë të parë me tragjedinë që Greqia luante në Jugun e vendit , por këtu ndikuan fuqishëm edhe shkaqe të tjera si:

1-Politika që xhonturqit ndoqën në këtë pjesë të rajonit ballkanik, për shkak se Fuqitë e Mëdha para fillimit të Luftërave Ballkanike duke dyshuar në rezultatin e tyre, patën deklaruar se sido që të ishte përfundimi ato nuk do të pranonin ndryshime tokësore në hartën politike. Por pas përfundimit të luftës meqenëse Turqia doli e humbur bashkë me Aleatët Ballkanikë, Fuqitë e Mëdha ndryshuan qëndrim dhe vendosën që të shpërblejnë shtetet e Ballkanit.

Turqia nuk u pajtua me këtë qëndrim dhe vendosi të hidhej në revansh. Si aleatë të mundshëm për këtë shikonte Shqipërinë dhe Bullgarinë, e cila ndonëse kishte luajtur një rol të rëndësishëm në Luftën e Parë Ballkanike kundra Turqisë, në Luftën e Dytë Ballkanike ajo ishte kthyer në një fuqi armike për ish aleatët e saj duke nënshkruar me Turqinë dhe një konventë të fshehtë ushtarake (25 janar 1914).

2-Shqiptarët nga ana e tyre e kishin pësuar më rëndë nga të gjithë në Luftërat Ballkanike. Genocidi dhe masakrat e ushtruara nga fqinjët sllavo-grekë (aleancës pan-ortodokse Serbi, Greqi, Bullgari, Mali i Zi) shtuar këtu dhe vendimet e Konferencës së Londrës si rezultat i së cilës më shumë se sa gjysma e kombit shqiptar kishte mbetur jashtë kufijve politik i bëri këta të fundit të mendonin se nuk u mbetej tjetër aleat në Ballkan përveç Turqisë. Një pjesë e tyre u kthye në mendimin e vjetër se do të ishte më mirë një Shqipëri e plotë me të gjitha krahinat e me një status autonom nën sulltanin, se sa një shtet gjysmak e gjoja i pavarur.

Në këto kushte shqiptarët mund të llogariteshin si aleatë të Turqisë, xhonturqit tashmë e kishin kuptuar se politika pan-islamiste e ndjekur nga Sulltan Abdylhamidi i II (1876-1908) kishte qenë një mjet efikas për të bashkuar dhe një herë të gjithë elementët të cilët më parë kishin qenë pjesë e perandorisë-osmane. Për këtë ata kishin dërguar agjentë të fshehtë për të nxitur dhe organizuar një lëvizje e cila do kishte në program autonominë e Shqipërisë me një princ mysliman në krye.

Duke u kapur pas paragjykimeve fetare të fshatarësisë dhe faktit që lufta drejtohej kundra princit të krishterë Wilhelm Widit, agjentët xhonturq u munduan t’i jepnin lëvizjes karakterin e luftës për mbrojtjen e islamizmit. Misioni i majorit xhonturk me origjinë shqiptare Beqir Grebeneja i cili kishte hyrë në kontakt edhe me Ismail Qemalin dështoi, pasi konsulli i Serbisë i paditi këta të fundit në fillim të janarit tek KNK-ja. Ky ishte dhe shkaku kryesor që Ismail Qemali u detyrua të japë dorëheqjen dhe më pas të largohej nga Shqipëria.

3-Austro-Hungaria punonte prej kohësh për të ngritur shqiptarët kundra Serbisë, armikes së saj, rrëzimi i Turhan pashës dhe sidomos largimi i Esat Toptanit i cili nuk kishte pranuar të bënte lojën austro-hungareze përputheshin edhe me interesat e xhonturqëve me të cilët Esati kishte marrëdhënie të këqia. Italia nga ana tjetër e shikonte Widin si një pengesë për realizimin e planeve ekspansioniste që kishte ndaj Shqipërisë, prandaj Baron Alioti dhe agjentët e tij kishin lidhje të rregullta me kryengritësit, duke i furnizuar ata me municion apo sinjalizuar me drita për të sulmuar Durrësin.

4-Greqia dhe Serbia duke destabilizuar shtetin shqiptar jo vetëm që e diskretitonin atë në sytë e Evropës, por nga ana tjetër duke nxitur kryengritësit me anë të agjentëve të tyre krijonin terren të përshtatshëm për të paralizuar qëndresën shqiptare kundra ndërhyrjes ushtarake greke në Jug të vendit dhe për ti treguar ortodoksëve shqiptarë se kjo ishte një lëvizje myslimane kundra të krishterëve, dhe për ti shtyrë këta të fundit drejt një bashkimi me Greqinë.

Një fakt interesant sjell Mihal Grameno në librin “Kryengritja Shqiptare” kur ai pyet një nga rrebelet e krishterë: “Mirë Turqit që duan Turqinë po juve kaure qysh e doni? -ata duke qeshur i përgjigjen se-ne luftojmë sipas programit të Dhespotit të Korfuzit në sipërfaqe si për Turqinë por qëllimi është se duke luftuar Turqit me Turqit do te rrinë mënjanë Grekët e në anën tjetër Serbët dhe atëherë do te jemi ne të zotërit e vendit”.

Edhe Mehdi Frashëri në librin “Kujtime” shkruan “se në Shqipëri kishte 400 priftërinj ortodoksë, të cilët vullnetarisht ishin agjentë lajmërues të mitropolitit grek të Durrësit, Jakovit dhe me anë të tij, edhe ministrit të Greqisë në Shqipëri-Baratasit.”

Me anë të këtyre agjentëve grekët nxisnin fanatizmin fetarë tek myslimanët e Shqipërisë së mesme për t`i ftohur apo armiqësuar ata me Princ Widin. Këto janë arsyet kryesore të anarkisë që përfshiu shtetin shqiptar në vitet 1914-1915-të, pavarësisht faktit se historiografia komuniste shqiptare nën shembullin e një kryengritje të udhëhequr nga Pugaçovi në Rusi u mundua që ta paraqesë atë si një lëvizje sociale kundra bejlerëve.

Duke justifikuar kështu me argumente historik luftën e klasave si një dukuri së cilës rrënjët i shkonin thellë në histori.

Ma. Hasan Bello
Student doktorature në Stamboll
Marre nga Gazeta Start

Posted in I pakategorizuar | Shenjëzuar: | Leave a Comment »