LAJME – NEWS

Kliko te lexosh lajmin i pari

Archive for Korrik 23rd, 2009

Taçi nënshkruan kontratën, blen Bolonjën për 22 milionë euro

Posted by arti on 23 Korrik 2009

Rezart Taçi biznesmeni shqiptar ka nënshkruar pak më parë kontratën për blerjen e klubit të Serisë A, Bolonja. Lajmi është bërë i ditur nga media italiane që ishte e pranishme. Dy palët, Taçi dhe familja Menarini kanë rënë dakord që 80 për qind e aksioneve të skuadrës

të shiten për 22 milionë euro.

Operacioni mësohet se ka kushtuar afërisht 22 milionë euro. Një parakontratë është nënshkruar pak më parë në Milano, ndërkohë që pronari i ri i skuadrës së Bolonja, do të paraqitet në qytet ditën e hënë.

Me ardhjen e Taçit do të flitet dhe për merkaton. Paratë e sjella nga ai, mund të bëjnë që skuara kuq e blu të pretendojë për më shumë dhe të blejë lojtarë më të mirë. Trajneri Papadopulo do dhe gjashtë lojtarë të tjerë. Për të forcuar skuadrën. Dhe për të, gjëja më e mirë do ishte që në Bolonja të vinte një sulmues shumë i mirë.

Posted in Europe, SHQIPERI, SPORT | Leave a Comment »

Flamurtari shpërfytyrohet në Skoci, humb 8 me 1

Posted by arti on 23 Korrik 2009

Është shpërfytyruar skuadra e Flamurtarit në Skoci. Një rezultat drastik, 8 me 1 për Madheruellin, ka bërë që djemtë e drejtuar nga Eqrem Memushi te zhgenjejnë shumë. Gjithçka është vendosur në pjesën e parë të lojës, ku skuadra skoceze kishte bërë gjashtë gola. Me këtë humbje

të paparashikueshme është mbyllur dhe aventura e skuadrave shqiptare në Kupat e Europës.

Pas Tiranës dhe Dinamos, janë eleminuar edhe dyshja Vllaznia-Flamurtari madje me rezultate shumë të thella. Shkodranët janë mundur edhe në ndeshjen e dytë nga rapidi i Vjenës, këtë herë 3-0 në Loro Boriçi, dhe 8-0 me rezultatin e përgjithshëm. Për Vllazninë kjo ndeshje ishte vetëm një test për trajnerin Hasan Lika i cili ka provuar lojtarë të rinj dhe skema të reja, para fillimit të Superligës. Golat për skuadrën austriake u shënuan në pjesën e dytë nga Hofman dhe Lavare.

Ka zhgënjyer Flamurtari, skuadra e vetme tek e cila shqiptarët kishin shpresa. Vlonjatët që 1 javë më parë fituan 1-0 dhe p janë shkatërruar 8-1 në Skoci nga Madheruelli.

Posted in SHQIPERI, SPORT | Leave a Comment »

Bjordi dhe Adela? Çifti vijon bashkë, sot nisen për Hungari

Posted by arti on 23 Korrik 2009

Thuhet e ç’nuk thuhet për Bjordin dhe Adelën, por vetëm pak prej atyre që thuhen janë të vërteta. Një gjë të vërtetë që na e thanë miqtë e tyre të ngushtë, është që çifti, niset sot, për të parë një garë të Formula 1 në Hungari.

Këtë herë nuk ka qenë Bjordi ai që paguan (siç ndodhi me një vizitë të të dyve në Itali, ca ditë më parë) por kjo garë është pjesë e çmimit që Big-Brother u dha dy lojtarëve të njohur. Ata do të kalojnë aty gjithë fundjavën, pasi këto gara mbahen gjithnjë ditë të diel.
Këto ditë në nxehta përpara kësaj nisjeje, çifti i “BB” i ka kaluar në hotelin e Qetsorit buzë detit në Vlorë. Duket se nuk e kanë shkëputur ende shoqërinë, madje ata menjëherë sapo janë kthyer nga Italia kanë shkuar atje.

Miq të SH2-it na treguan në vija të trasha itinerarin e udhëtimit të Adelës dhe Bjordit në Itali. Fillimisht ata kanë vizituar Lekon, qyteti ku Bjordi jetonte para se të merrte pjesë në Big-Brother. Më pas destinacioni i tyre ka qenë Roma. Bjordi, edhe pse temperaturat kanë qenë thuajse ekstreme, nuk ka përtuar t’i tregojë Adelës dy pikat më interesante të Romës, Koloseu dhe Shën Pjetri. Adela e vizitonte Italinë për herë të parë.

Nuk dihet nëse në këtë udhëtim të tyrin ka qenë e pranishme dhe Antoneta, e ëma e Bjordit, e cila njihet për një karakter të fortë dhe fillimisht është shprehur hapur kundër lidhjes së Bjordit dhe Adelës, por më pas ka ndryshuar qëndrim.

Miq të çiftit na rrëfyen se deri tani lidhja e Bjordit dhe Adelës po funksionon, por përsa i përket të ardhmes nuk kanë asnjë plan. Thjesht kanë vendosur të shijojnë pushimet e verës si të gjithë.

Adela pati një propozim për të punuar në shown “E Diell”, por deri më tani, asaj nuk i është thënë asgjë tjetër, veç ofertës që Krasta e bëri publikisht në ekran. Ndërsa Bjordi pret të bëjë një provë për aktrim.

Posted in SHOW BIZ, SHQIPERI | Leave a Comment »

Laç, plagoset me plumb në kokë infermieri

Posted by arti on 23 Korrik 2009

LAÇ – Një infermier i urgjencës së spitalit të Laçit është gjetur i plagosur me plumb në kokë fare pranë vendit të punës. Ai është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, ndërsa policia po heton për shkaqet e vrasjes apo vetëvrasjes së punonjësit të mjekësisë.

Aleksandër Pëllumbi, është gjetur i shtrirë në tokë dhe i gjakosur pranë garazheve të spitalit mbrëmë rreth orës 19:00. Një e shtënë pistolete është dëgjuar nga rojet dhe personeli i spitalit të cilët kanë shkuar menjëherë në vendin ku u dëgjua krisma. Ata kanë gjetur kolegun në gjendje të rëndë dhe pasi i kanë dhënë ndihmën e parë e kanë nisur urgjent në spitalin Ushtarak të Tiranës për mjekim të specializuar.

Policia e Kurbinit e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe shkaqet e mundshme të plagosjes së infermierit. Në pistat e hetimit po rishikohet mundësia e një vetëvrasje të mundshme, por pa arritur të japin ende një arsye.

Burime zyrtare nga komisariati i rrethit Kurbin kanë bërë të ditur se Aleksandër Pëllumbi, infermier i urgjencës në spitalin i Laçit, është gjetur i plagosur në pjesën anësore të spitalit shumë pranë garazheve, ndërsa kishte marre një plumb në kokë. Ai është në gjendje kome, ndaj policia nuk nxitohet të japë versionin e ngjarjes mbi plagosjen e infermierit Pëllumbi.

Ai ishte babai i dy vajzave dhe ende nuk saktësohet mbi ndonjë version i mundshëm për plagosjen e tij, ndonëse policia ka hedhur disa dyshime. Sipas kolegëve të tij, Pëllumbi ishte një njeri punëtor dhe i qetë, madje një nga më të mirët në spitalin e Laçit. Përpos punës në urgjencë ai kishte marrë edhe një lokal me qira, ku punonte orëve të pasdites. Kolegët dhe familjarët thonë se ai nuk ka pasur asnjë konflikt.

Posted in Kronike, SHQIPERI | Leave a Comment »

Vdekja e të miturit, arrestohet një tjetër infermier

Posted by arti on 23 Korrik 2009

KORÇË- Shkon në katër numri i të arrestuarve për vdekjen e fëmijës 4 vjeçar që u pickua nga gjarpri dhe ndërroi jetë, sipas prokurorisë për shkak të papërgjegjshmërisë së stafit mjekësor të spitalit të Korçës.

Sot është arrestuar infermieri Kostika Karamitro, 40 vjeç. Policia njoftoi se ndalimi i tij u bë për veprën penale “Mjekim i pa kujdesshëm”, pasi më 18.07.2009 nga mos mjekimi, ka gjetur vdekjen shtetasi Viktor Balliu, 4 vjeç nga fshati Leminot i rrethit Korçë. Ndërkohë policia dje ka arrestuar mjekun anestezist që ka qenë në turn ditën që u paraqit në spital fëmija i sëmurë si dhe dy infermierë të tjerë.

Vdekja e të miturit nga pickimi, në pranga mjeku dhe 2 infermierë

dt. 23 korrik

KORÇË- Një mjek dhe dy infermierë janë vënë në pranga nga policia e Korçës, pak ditë pas vdekjes së fëmijës 4 vjeçar. Ata akuzohen për mjekim të pakujdesshëm të pacientit të vogël që u paraqit në spital në gjendje të rëndë nga pickimi i gjarprit. Pas pickimit fëmija nuk u trajtua me serum antivipera, që mund t’i shpetonte jetën.

Që në fillim u dyshua se fëmija nuk ka marrë trajtimin e duhur spitalor, ndaj Ministria e Shëndetësisë bëri mbledhje urgjente me drejtues të spitalit të Korçës. Edhe prindërit akuzuan mjekët për papërgjegjshmëri. Ata iu kishin thënë familjarëve të blinin një serum në farmaci, ndërkohë që ky medikament gjendej në spital.

Drejtoria e Policisë së Korçës bën të ditur sot se ka ndaluar tre persona, personel mjekësor, për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë ku humbi jeten nga pickimi i gjarprit një femije 4 vjeçar nga fshati Leminot i Korçës

Në komisariat përfunduan mjeku 39 vjeçar Ilir Milo, nga Erseka, që kryente funksionin e anestezistit dhe reanimatorit në spitalin e Korçës. Po kështu janë arrestuar infermieri ndihmës anestezist Juljan Mato, 36 vjeç nga Korça dhe Olgert Hoxhallari, 24 vjeç infermier i këtij spitali.

“Të tre keta shtetas kanë konsumuar vepren penale ‘Mjekim i pakujdesshem’ parashikuar nga neni 96 i K.Penal, pasi ne daten 18.07.2009 rreth orës 14.00, nga mosdhënia e ndihmes mjeksore, shtetasi Viktor Balliu, i vitlindjes 2005, banues në fshatin Leminot i Korçes, i cili ishte pickuar nga gjarperi, ka gjetur vdekjen”. Kështu thuhet në komunikatën e policisë. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

E pickon gjarpri, vdes fëmija 4 vjeç në Korçë

dt. 18 korrik

KORÇË – Një fëmijë 4 vjeç ka vdekur si pasojë e pickimit të gjarprit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e shtunë në fshatin Laminot të Korçës. Pas ndihmës së parë në spitalin e Korçës mjekët e kanë nisur për në Spitalin e Tiranës, por rrugës, 4 vjeçari ka ndërruar jetë.

I mituri me inicialet V.B. bashkë me të vëllanë kanë qenë duke ecur përmes një livadhi për të shkuar në rezervuar për tu larë, kur është pickuar.

“Fëmija është dërguar menjëherë nga të afërmit në spitalin e Korçës, ku ka marrë edhe ndihmën e parë në sallën e Reanimacionit”, bën të ditur policia me anë të një njoftimi.

Mjekët vendosën që pasditen e të shtunës ta transportonin 4 vjeçarin në Tiranë për ti dhënë një ndihmë më të specializuar. Rrugës për në kryeqytet fëmija ka vdekur dhe është kthyer mbrapsht në Korçë.

“Gjatë këqyrjes në pjesën e kurrizit të këmbës së majtë të fëmijës u konstatuan tre dëmtime në formë gërvishtje me gjatësi 0.1 mm, karakteristikë e kafshimit të gjarprit, ndërsa nuk janë konstatuar dëmtime të tjera në pjesë të trupit”, bëjnë të ditur mjekët.

Posted in Kronike, SHQIPERI | Leave a Comment »

Kolegji rrëzon ankesat për Shkodrën, s’ka rinumërim votash

Posted by arti on 23 Korrik 2009

TIRANË- Mbyllet edhe çështja e Shkodrës, nuk ka më rinumërim votash dhe as ndryshim rezultatesh. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot ankesën e Partisë Socialiste që kishte kontestuar vendimin e KQZ-së për këtë qark. Po kështu Kolegji hodhi poshtë edhe ankesat e PD dhe PDK për pavlefshmëri në disa qendra votimi.

Trupi gjykues i këtij Kolegjit pranë Gjykatës së Apelit deklaroi se kërkesat e tre subjekteve politike janë të pabazuara në ligj dhe prova. Në këtë mënyrë rezultati i votimeve dhe mandateve për qarkun e Shkodrës mbetet i pandryshuar.

Partia Socialiste kërkonte shqyrtim të gjithë tabelave te rezultateve të KZAZ-ve të qarkut Shkodër, pasi sipas këtij subjekti ka patur parregullsi gjatë numërimit te votave dhe plotësimit të tabelave nga ana e komisionerëve.

Partia Demokratike nga ana e saj kërkonte që të përfshiheshin në tabelat e rezulateve përfundimtare të Shkodrës edhe qendrat e votimit 0211 dhe 0342.

Kolegji Zgjedhor pritet të mblidhet për të shqyrtuar kërkesë padinë e Partisë Socialiste për rinumërimin e votave dhe rivlerësimin e rezultateve në 6 KZAZ të qarkut të Tiranës.

Shqyrtimi i këtyre ankesave shënon dhe përmbylljen e kësaj faze në Kolegj, që i hap më pas rrugën certifikimit nga KQZ të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Një ditë më parë trupa gjyqësore e Kolegjit rrëzoi ankesën e PD-së dhe të PDI-së për Qarkun e Fierit, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së. Po kështu Kolegji ka rrëzuar edhe ankesën e PS-se për Beratin.

Posted in Politike, SHQIPERI, ZGJEDHJE 2009 | Leave a Comment »

Meteorologët: Që sot, valë e nxehti në vend

Posted by arti on 23 Korrik 2009

TIRANË – Pas ditës së sotme, temperaturat maksimale në vend pritet të jetë të larta, deri në 39 gradë celcius, parashikojnë meteorologët. Kështu, gjatë ditës së sotme temperatura maksimale në Tiranë do të arrijë deri në 34 gradë celcius, ndërsa gjatë ditës së nesërme pritet të arrijë deri në 40 gradë.
Dita e shtunë do të karakterizohet po nga këto temperatura të larta, me një temperaturë maksimale mesatare deri në 39 gradë celcius. Temperaturat e ajrit, pas rënies që pësuan në fundjavën e kaluar, kanë rezultuar me një rritje të lehtë që prej ditës së hënë, duke arritur në temperatura të larta të këtyre ditëve. Sipas meteorologëve, në pjesën më të madhe të zonës së ulët të vendit, si në qytetin e Elbasanit, Cërrikut, Beratit, Kuçovës, Gjirokastrës dhe pjesës veri-perëndimore, pritet që temperaturat të jenë më të larta.
Moti i kthjellët ka mbizotëruar të gjithë territorin e vendit pothuajse gjatë gjithë javës, deri ditën e premte.

Posted in PARASHIKIMI I MOTIT, SHQIPERI | Leave a Comment »