LAJME – NEWS

Kliko te lexosh lajmin i pari

Bora bllokon Llogaranë, Qafa e Muzinës kalohet me zinxhirë

Posted by arti on 18 Shkurt 2009

TIRANE – Reshje bore në shumë qytete të vendit dhe probleme të shumta me qarkullimin. Rinisja e reshjeve, ka bërë që shumë zona të mbeten të bllokuara, ndërkohë që në një pjesë të mirë të rrugëve është bërë i detyrueshëm qarkullimi me zinxhirë.

Gjirokastër

Bora në Gjirokastër ka nisur që gjatë mesnatës dhe vazhdon ende të bjerë. Aktualisht Qafa e Muzinës kalohet vetëm me zinxhirë. Në vend ka nisur hedhja e skorjeve për të lehtësuar qarkullimin, ndërkohë që janë vënë në punë mjete borëpastruese për të hapur rrugë. Sipas të dhënave të parë, dy komuna në rrethin e Gjirokastrës, Pogoni dhe Zagoria janë të bllokuara. Probleme ka edhe në qytet. Shumë vështirësi për qarkullim ka në pjesën e sipërme të qytetit, ku qarkullohet vetëm me zinxhirë. Por me ritmin që po bie bira, duket se pas pak kohe këtu do të ndalohet fare lëvizja e mjeteve.

Llogara

Qafa e Llogarasë, rreth 40 km larg Vlorës, si pasojë e reshjeve të dëborës që kanë rënë gjatë natës është e bllokuar. Inspektori i Ndërmarrjes së Shërbimit Pyjor për zonën, Pandeli Qesargjoni, ka thënë për atsh-në, se “qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë është i bllokuar. Për normalizimin e trafikut po punojnë mjetet e Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve dhe të një firme që ka fituar tenderin e mirëmbajtjes së rrugës Vlorë-Sarandë”.
Aktualisht, po punohet për pastrimin e rrugës nga bora dhe më pas, do të hidhet kripë dhe skorje. Sipas Qesargjonit, shtresa e dëborës në pikën më të lartë të kësaj qafe, ka arritur në 10 cm trashësi.
Policia ka paralajmëruar drejtuesit e automjeteve, ndërkohë që ka marrë masat për të mos lejuar aksidente të mundshme.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe një javë më parë, kur Qafa e Llogorasë që gjendet 1050 metra mbi nivelin e detit, u bllokua për disa orë për shkak të reshjeve të dëborës.

Leave a Reply

XHTML: You can use these tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <pre> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>